
Kanë kaluar 45 ditë nga nisja e protestave në Shqipëri, ndërsa sipas raportimeve nga terreni, ato po vazhdojnë pa asnjë incident.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, gazetari Martin Marku dha më shumë detaje mbi situatën, duke theksuar se deri më tani protesta ka qenë e qetë dhe se organizatorët nuk kanë ndërmend ta ndalin atë.
“Sipas informacioneve që unë kam nga ana e disa prej organizatorëve, kjo nuk do të ndalet, por do të vijojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie dhe largimin e klasës politike 30-vjeçare. Pra, nuk janë vetëm kundër kryeministrit Edi Rama, por janë kundër klasës politike 30-vjeçare”, u shpreh Marku.
Sipas tij, protesta aktuale konsiderohet si protesta më jetëgjatë e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, duke hyrë në ditën e 45-të të saj pa u ndërprerë.