
Raporti:Arza Kastrati/Kanal10
Në Kosovë janë të shpeshta rastet e mashtrimeve dhe keqpërdorimit të të dhënave bankare përmes blerjeve online. Sipas Policisë së Kosovës rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare janë trajtuar që nga viti 2020 e deri më tash. Ekspertët e sigurisë kibernetike dhe ekonomistët kërkojnë nga shteti që të bëjë më shumë në sigurinë e të dhënave personale bankare. Kanë kërkuar fushata vetëdijësuese.
Me rritjen e përdorimit të teknologjisë, është rritur edhe pasiguria e blerjeve online me kartela bankare.
Qytetarët e Kosovës ndihen të rrezikuar pasi që ka raste të keqpërdorimit të kartelave.
Sipas Policisë së Kosovës që nga janari i vitit 2020 e deri në qershor të 2022, janë trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare.
Mashtrimet ndaj qytetarëve janë të ndryshme, nga ato që paraqiten si të punësuar në banka, e deri tek ato që iu kërkojnë të dhëna për të fituar në lojëra shpërblyese.
Njohësi i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj ka thënë që të mos japin shumë të dhëna bankare qytetarët në blerjet online, sepse banka nuk mbanë përgjegjësi.
Derisa e ka cilësuar këtë dukuri shqetësuese, ekonomisti, Mustafë Kadrijaj, thotë se institucionet e vendit duhet të shtojnë vigjilencën dhe të bashkëpunojë me qytetarët në ruajtjen e të dhënave bankare.
Për ta rritur nivelin e sigurisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, përmes të cilit mundësohet themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike.