
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiç më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani, raporton Gazeta Shqip.
Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.