
Skuadra e Manchester Cityt ka bërë gati ofertën në drejtim të Brighton, për mesfushorin Alexis Mac Allister.
Siç raportojnë mediat angleze, “Qytetarët” janë në kërkim të një mesfushori të ri, dhe Mac Allister duket se është profili që po kërkon Guardiola.
24-vjeçari i cili është edhe fitues i Kupës së Botës me Argjentinën, po e ndjen veten të gatshëm për të bërë hapin e madh në karrierë dhe me shumë mundësi ky është sezoni i tij i fundit me fanellën e Brightonit.
Në një intervistë të realizuar pak ditë më parë babai i lojtarit u shpreh: “Klubet janë duke na telefonuar për Alexis, por deri më tash nuk ka bisedime konkrete. Ne do të vendosim së bashku me Brightonin, ata meritojnë respekt. Ne do të zgjedhim projektin më të mirë, bazuar në trajnerin gjithashtu, nuk ka të bëjë me paratë.”, përfundoi ai.
Mac Allister ka kontratë me Brighton deri në verën e vitit 2025. Vlera e tij aktuale në treg është rreth 42 milionë euro.
Këtë sezon, ai është paraqitur në 26 ndeshje në të gjitha garat me klubin e tij, ku ka 9 gola të realizuar dhe 2 asistime.