
Raporti: Saranda Aliu
U hodh tym i zi e u vendosën flamuj të bardhë në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, si simbol i dorëzimit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Përveç kësaj kërkese, Partia Social Demokrate bashkë me dhjetëra protestues kundërshtuan marrëveshjen e arritur me Serbinë në Ohër dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nga PSD-ja thanë se Kosovës po i ndodhë autonomia etnike për serbët.
Pikë takimi ishte sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Ani pse me pozita ndryshe, qëllimin e kishin të njëjtë, andaj protestës së organizuar nga Partia Social Demokrate iu bashkuan edhe anëtarë të opozitës, të Organizatës së Veteranëve e ish komandantë të UÇK-së.
Kështu ata kundërshtuan dakordimin e arritur në Ohër, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kërkuan dorëzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, ka thënë se Kurti si opozitar ka përdorur Zajednicën për të sulmuar pushtetarët e atëhershëm, derisa sipas tij tash po ia ndërron emrin asaj që ka pranuar.
Flamujt e Kosovës që ishin të vendosur te ndërtesa e qeverisë i larguan, për t’i ngritur në shtizë flamujt e bardhë, si simbol dorëzimi i kryeministrit Kurti.
Ndërsa, qeveria u mbulua nga tymi i zi, prej mjeteve piroteknike që i hodhën protestuesit.
Edhe qytetarët të cilët kanë marr pjesë në protestë kërkuan dorëzimin e Kurtit nga pushteti, e disa të tjerë u shprehën të nervozuar me veprimet e këtij të fundit.
Pas shumë mohimeve kryeministri Kurti, ditë më parë e ka pranuar se pjesë e Planit Evropian është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./Gazeta10