
Pas përfundimit të fjalëve së dy mbrojtësve të tij, Gregory Kehoe dhe Luka Misetiç, foli edhe ish presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi i cili tha se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe politike.
Në fjalimin para Speciales, Thaçi ka thënë se pret që gjykimi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të jetë i drejtë dhe të përfundojë shpejt.
“Jam i kënaqur që procesi e ka dëshmuar edhe njëherë se nuk ka pasur trafikim organesh e shtëpi të verdhë. Kosovës i është hequr reja e zezë të cilën ia kishte vënë Raporti i Martyt”, ka thënë Thaçi, raporton Koha nga vendi i ngjarjes, sepse transmetimi live është me vonesë.
“Sot po e nisim një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat. Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të kem sukses në këtë rrugëtim. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u kthyem nga atje në Kosovë. Lufta na u imponua dhe ne e bëmë atë që do ta bënte çdo popull liridashës. Më vie keq që këtu në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Albright, Holdbrooke, Demelio, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi. Ata do të dëshmonin në emrin tim”, tha Thaçi.