
Gjatë qëndrimit në ditën e sotme në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh kryenegociator për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi u takua me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Takimi u fokusua në bisedime mbi të arriturat e Kosovës, rrugëtimin në integrimin evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm.
Bislimi tha se vëmendja e Qeverisë është e orientuar fuqishëm për zbatimin ereformave në kuadër të agjendës evropiane, shkruan Gazeta10.
“Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi mesazhin e përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian dhe vijimësinë në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik e kohezion shoqëror.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë për media.
Ai e falënderoi Komisionerin Varhelyi për bisedën e frytshme, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës. /Gazeta10