
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Plagosja e një serbi në afërsi të vendit ku qëndron Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në Zveçan, ka ngjallur reagime të shumta. Nga KFOR-i u kanë bërë thirrje institucioneve që përgjegjësit e kësaj vepre të sillen para drejtësisë. Ndërsa, nga EULEX-i kanë paralajmëruar shtimin e patrullimeve në atë pjesë.
Për të paralajmëruar se këtu afër gjendet Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e vendosën këtë tabelë.
E njëjta dyshohet të jetë vendosur nga serbët lokal gjatë mbrëmjes, në afërsi të Urës së Bistricës në Zveçan.
Megjithatë, këtë të mërkurë e njëjta nuk ishte aty.
Ky veprim ndodhi dy ditë pas plagosjes së një qytetari serb, që dyshohet ta ketë bërë një pjesëtar i policisë së Kosovës gjatë patrullimit në atë pjesë.
E këtë incident e ka dënuar edhe KFOR-i, derisa kanë kërkuar që përgjegjësitë të sillen para drejtësisë.
“KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja të arritura në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”
Ndërkaq, nga EULEX-i kanë paralajmëruar shtimin e patrullimeve te Ura e Bistricës, aty ku dyshohet se serbi është gjuajtur me armë zjarri.
“Ata kryejnë patrulla të lëvizshme të zbulimit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke punuar me turne. Përveç kësaj, njësia policore e EULEX-it dhe një njësi policore e përbërë nga forcat rezervë janë formuar për të patrulluar në këmbë në veri të Mitrovicës, Zveçan. Leposaviq dhe Zubin Potok”
Të hënën në mbrëmje një qytetar serb është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës.
Për këtë rast janë arrestuar katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës e më pas u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat penale vrasje në tentativë dhe moslajmërim i veprës penale.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta edhe nga ndërkombëtarët, të cilët e kanë bërë thirrje për hetim të plotë dhe të shpejtë.