Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Prokuroria për rastin në Pejë: Një rast i tillë nuk ka ndodhur më parë, hetimet po vazhdojnë

Gazeta10
15 April 2023 - 16:19

Prokuroria Themelore e Pejës është duke vijuar hetime në lidhje me rastin e rëndë që ndodhi në lagjen “Kapeshnicë” të Pejës ku djali 30-vjeçar vrau të ëmën, raporton Gazeta10.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se i dyshuari është në ndalim prej 48-orësh, ndërsa prokurorja e rastit do të kërkojë paraburgim prej një muaji.

“I pandehuri është rreth moshës 30 vjeçare… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë… Ne me Policinë e Kosovës jemi duke bërë hetime intensive që të ndriçohet në plotni kjo çështje e rëndë penale. Në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta lokalizojë personin e dyshuar më pas dhe ta arrestojë. I njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë… Ne nuk mund t’i bëjmë hetimet publike, ku hetimet janë në fazën konfidenciale. Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje të ndriçohet”, potencoi ai.

Nikçi shtoi se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar t’i bëhet autopsia në Institutin të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe jemi në pritje të raportit nga mjeku ligjor lidhur me këtë çështje… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë. Rasti është shumë i ndjeshëm dhe duhet t’i kursejmë anëtarët e familjes, që mos t’i lëndojmë më shumë”, u shpreh ai.

Prokurorja e rastit ka kërkuar që i pandehuri të vijojë qëndrimin në paraburgim për një muaj ndërsa seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme (e shtunë).

“Sipas procedurës penale i njëjti duhet të qëndrojë 30 ditë paraburgim. Prokurori në koordinim me gjyqtaren paraprake do të kërkojnë që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit derisa të përfundojë i gjithë procesi hetimor, më pas do gjykohet me veprën penale, ku prokurori i shtetit do kërkojë nga gjyqtari që i njëjti të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar”, theksoi ai./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.