
Në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, nënkryetari i Mitrovicës, Arian Tahiri, ka folur për punën që po bëhet atje si dhe sfidat përpara, raporton Gazeta10.
Ai fillimisht ka thënë se bashkëpunimi me operatorët në Komunën e Mitrovicës është i mirë dhe se ata janë duke e bërë maksimumin.
“Në kontratat me të cilat i ka të kontraktuara Komuna e Mitrovicës janë duke ecur punimet, në tempon dhe intenzitetin e pëlqyer dhe të pranueshëm nga ana jonë. Mendoj se operatorët janë duke e bërë maksimumin”, ka thënë ai.
Tutje, Tahiri, ka përmendur stadiumin “Adem Jashari” për të cilin ka kritikuar nivelin qëndror për mosseriozitet në punë.

“Sa i përket nivelit qëndron është stadiumi “Adem Jashari” i cili është i kontraktuar nga niveli qëndror por fatkeqësisht këtë vit aty nuk është bërë asnjë milimetër punime ma tutje”, ka shtuar ai.
Duke folur për sportin dhe specifikisht basketbollin, Tahiri, ka thënë se po punohet në atë drejtim meqë Mitrovica e pëlqen shumë këtë sport.
“Mitrovicën po e bëjmë qendër të basketbollit dhe basketbollistave. E dini ju, e dinë të gjithë, se në qytetin e Mitrovicës basketbolli përcillet në nivel shumë të lartë, sidomos nga gjeneratat e reja. Mendoj që ky turnir do të ndikojë shumë pozitivisht që t’i motivojë të rinj që të merren me sport”, ka thënë ai. / Gazeta10