
Aktorët e mirënjohur Fisnik Ademi dhe Ermal Sadiku kanë qenë sonte ndër figurat që kanë ndezur atmosferën mes mijëra qytetarëve të mbledhur në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e katërt radhazi të protestave nën moton “Jo në emrin tim”.
Mijëra qytetarë kanë dalë sërish në shesh për të kundërshtuar aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Se protesta ka vazhduar sonte për të katërtën natë radhazi dhe se në të kanë marrë pjesë mijëra qytetarë është raportuar edhe nga mediat.
Ademi dhe Sadiku iu bashkuan protestuesve në zemër të kryeqytetit, ndërsa para turmës së madhe ngritën zërin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke nxitur reagime dhe thirrje nga qytetarët e pranishëm.
Sheshi “Skënderbeu” u mbush edhe sonte me thirrjet “UÇK” dhe “Jo në emrin tim”, moto që prej disa netësh po shoqëron protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Protestat kanë nisur pas aktgjykimit të së mërkurës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa qytetarët po vazhdojnë tubimet në Prishtinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi.
Edhe pas katër netësh, mesazhi i protestuesve mbetet i njëjtë: “Jo në emrin tim”.