
Raporti: Aldona Kurtolli/Kanal10
Ende nuk dihet nëse kanë filluar hetimet për barrikadat që ishin vendosur vitin e kaluar në veri të vendit. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur habinë e tij se si asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri tani, ani se AKI-ja ka dërguar pa numër dosje shkeljet në veri. Derisa, as Komisioni për Siguri i Kuvendit nuk ka informacione rreth nisjes apo jo të hetimeve.
Për 16 barrikadat që ishin vendosur në veri të vendit në dhjetorin e vitit të kaluar, ende nuk dihet nëse Prokuroria Speciale ka filluar hetimet apo jo.
Informacione në lidhje me këtë, nuk ka as ekzekutivi, e as legjislativi.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, se kanë dërguar fakte e dëshmi për shkeljet e panumërta që janë bërë në veri të Kosovës.
Për këtë, kreu i ekzekutivit ka adresuar kritika të ashpra ndaj Prokurorisë Speciale, duke thënë se si është e mundur që asnjë aktakuzë nuk është ngritur përkundër fakteve të dërguara nga AKI-ja.
DEK: Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës
Ndërkoh, për hetimin dhe atyre që penguan rrugët në veri, janë bërë bashkë pozitë e opozitë.
Deputetët e pushtetit dhe opozitës thonë se personat e përfshirë në pengimin e rrugës dihen dhe se deri më tani do të duhej të nisnin hetimet.
Por, ligjvënësit nuk e kanë asnjë informacion nëse ka nisje të hetimeve ose jo.
Për këtë, deputeti i Vetëvendosjes, i cili është pjesë e komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar Prokurorinë Speciale.
Edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se personat të cilët kanë penguar lëvizjen në veri, përmes barrikadave kanë qenë të armatosur.
Prokuroria Speciale, as pas disa javë pritje nuk ka kthyer përgjigje rreth kësaj çështje.
Në dhjetor të vitit të kaluar, disa grupe të serbëve kishin ngritur barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq./Gazeta10