
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se nga sot ata janë në grevë të përgjithshme teksa kanë thënë se kërcënimet e qeverisë janë antiligjore, raporton Gazeta10
Në komunikatën e BSPK-së të lëshuar para pak minutash thuhet se ata janë në grevë pa dëshirën e tyre por për shkak të mospërmbushjes së premtimeve nga qeveria.
Tutje, aty thuhet se kërcënimi i grevistëve bie ndesh me ligjin për greva, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë.
Ata e kanë ftuar qeverinë mbi bazën e arsyes të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejë zgjidhje për kërkesat e tyre.
Këtu keni komunikatën e plotë të BSPK-së:
Sot, e enjte, më 25 gusht 2022, duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë.
Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë.
Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh.
Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur, dhe zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve.
Kryetari i BSPK-së
Atdhe Hykolli”.
Kujtojmë se Ministria e Financave edhe zyrtarisht ka njoftuar se do të ua ndalojë pagat të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj greve. / Gazeta10