
Raportohet se sulmuesi i dyshuar serb, një i ri 21-vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e tetë personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve, është arrestuar në qytetin Kragujevac pas një operacioni të gjerë kërkimi.
Të gjitha njësitet speciale të forcave të Ministrisë së Brendshme kishin dalë në terren, përfshirë forcat SAJ, Xhandarmëria, Njësiti i Helikopterëve, si dhe dronët me kamera për pamje termale, raporton mediumi Tanjug.
Më shumë se 600 pjesëtarë të forcave të sigurisë morën pjesë në operacionin e kërkimit për sulmuesin e dyshuar.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka cilësuar rastin si sulm terrorist.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, është në terren me forcat e policisë. Siç merret vesh jozyrtarisht, viktimat e para ishin pas një zënke të sulmuesit të dyshuar me disa persona. Pastaj, raportohet se ai shkoi në shtëpi dhe u kthye me një armë automatike.
Policia bëri një kërkim në shtëpinë e të dyshuarit, ku gjeti sasi të madhe të armëve dhe municionit.
I dyshuari ka të kaluar kriminale në lidhje me shkeljen e Ligjit për Armët dhe Municionin. Në mesin e tetë të vrarëve janë një polic i ri, i cili nuk ishte në detyrë në kohën e sulmit, si dhe motra e tij. I dyshuari thuhet të ketë shtënë edhe ndaj fëmijëve.
Dhjetë persona u pranuan në spitalin e përgjithshëm në Smederevo, “Sveti Luka”, gjatë natës. Katër prej tyre vdiqën, ndërsa tre të tjerë u dërguan në Beograd. Tre u operuan dhe janë në gjendje stabile.