
Partia LDK përmes një konference për media ka shprehur shqetësimet lidhur me qëndrimin e qeverisë se Kosovës ndaj grevistëve të cilët nga dje kanë nisur grevat në sektorin publik, raporton Gazeta10.
“Ju kemi ftuar për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me qasjen që ka Qeveria e Kosovës ndaj grevistëve në sektorin publik, me theks për punëtorët e arsimit…”, u tha gjatë konferencës.
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku–Sadriu, ka thënë se kërkimi i listave me emrat e grevistëve nga ana e qeverisë për t’ua pezulluar kontratat atyre, është një kërcënim dhe nuk ka mbështetje ligjore.
“SBASHK ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik, kurse menjëherë më pas qeveria ka bërë kërkesën për të kërkuar listat e punonjësve të arsimit të cilët janë të përfshire në grevë për t’i pezulluar nga lista e pagave, kështu duke fyer rëndë dinjitetin edhe integritetin e tyre. Kërkimi i listave me emrat e grevistëve nga ana e Qeverisë për të dënuar ose pezulluar kontratat e punës së tyre është një goditje e ultë dhe pa mbështetje ligjore. Është praktikë tipike e autokratëve për të heshtur kërkesat dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë”, tha Lushtaku-Sadriu.
LDK ka kërkuar që të ndalet presioni ndaj mësimdhënësve dhe të gjendet një zgjidhje sa më shpejt.
“Në vend se të dialogojë dhe të gjejë një zgjidhje, qeveria ka zgjedhur kërcënimin financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik në kohën kur kriza financiare në vend po thellohet pikërisht nga mosveprimi i kësaj qeverie”, u tha në kinferencë./Gazeta10.