
Real Madridi dhe Manchester City kanë luajtur baras me rezultat 1-1, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu”, të parët që kaluan në epërsi ishin skuadra vendase.
Vinicius Junior me një goditje fantastike në minutën e 36-të e kaloi ekipin e tij në avantazh.
Në fraksionin e dytë të këtij ballafaqimi, të dyja skuadrat kishin raste të mira shënimi, por vetëm “Qytetarët” arritën ta tundnin rrjetën.
Ishte Kevin De Bruyne, i cili me një goditje të fuqishme dhe precize mposhti portierin Thibaut Courtois.
Në fund kjo ndeshje u mbyll pa fitues, ndërsa finalisti do të vendoset në përballjen e dytë e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në “Etihad Stadium”.