
Më shumë se 13500 armë janë dorëzuar nga qytetarët në Serbi mes tyre granata dore, armë automatike dhe raketa antitank. Autoritetet kanë shpallur një periudhë amnistie prej një muaji për qytetarët që të dorëzojnë armë të paregjistruara ose do të përballen me dënime me burg. Vendimi u mor pasi vendi u trondit nga dy ngjarje të njëpasnjëshme kur një djalë vrau shokët e klasës dhe një tjetër vrau 8 banorët e një fshati .
Presidenti Aleksandar Vuçiç shoqëroi zyrtarët e lartë të policisë të cilët ekspozuan armët e mbledhura , rreth 50 kilometra në jug të Beogradit. Sipas Vuçiç, përafërsisht gjysma e armëve të grumbulluara ishin të paligjshme, ndërsa gjysma tjetër ishin armë të regjistruara që qytetarët megjithatë i kishin dorëzuar. Ai shtoi se armët do të shkojnë në fabrikat e armëve dhe municioneve të Serbisë për përdorim të mundshëm nga forcat e armatosura.
“Pas 8 qershorit, shteti do të përgjigjet me masa represive dhe dënimet do të jenë shumë të rrepta”, tha Vucic për periudhën pas amnistisë, shkruan Euronews Albanian.
Serbia vlerësohet të jetë ndër vendet me numrin më të lartë të armëve për frymë në Evropë. Shumë prej tyre kanë mbetur nga luftërat e viteve 1990 dhe mbahen ilegalisht. Masa të tjera kundër armëve përfshijnë kontrolle më të rrepta për pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes. /Gazeta10/