Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haradinaj për Rizvanollin: Tash që nuk blejmë më rrymë nga Serbia, të tregojë a kanë blerë deri tash

Gazeta10
16 November 2026 - 12:52

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar lidhur me krizën energjetike në vend, duke ironizuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është menaxhuar furnizimi me energji elektrike.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj i ka kërkuar ministres të sqarojë nëse Kosova ka blerë energji elektrike deri më tani, pas vendimit për ndalimin e importit të rrymës nga Serbia.

“Tash, pasi s’po blejmë më rrymë nga Serbia, po e lus ministren të na tregojë a kanë blerë deri tash?”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka ironizuar edhe me përgjegjësinë e ministres për situatën e krijuar, duke thënë se ajo po paraqitet si viktimë e një krize për të cilën, sipas tij, përgjegjës janë të tjerë.

“Përgjegjës janë ata që thërrasin drejtorë me kapelë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për furnizimin me energji elektrike, duke pretenduar se gati një e treta e Kosovës është në terr dhe se faturat e energjisë po trefishohen.

Haradinaj ka kritikuar gjithashtu shpenzimet për importin e energjisë elektrike, si dhe marrëveshjen për qymyrin me Maqedoninë e Veriut, për të cilën ka pretenduar se ky shtet po e merr qymyrin falas nga Kosova.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe Qeverinë për përdorimin e patriotizmit në debatet publike, duke e ndërlidhur këtë me reagimet pas interpretimit të një kënge serbe në Bruksel.

Në fund, Haradinaj ka theksuar se përgjegjësinë për krizën energjetike nuk duhet ta mbajë ministrja Rizvanolli, por kreu i Qeverisë.

“Ministrja nuk ka pikë faj. Fajin e ka shefi”, ka përfunduar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.