
Finalja e madhe e Kupës së Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave do të zhvillohet ditën e mërkurë.
Federata e Futbollit të Kosovës si organizatore ka njoftuar se finalja mes KFF Mitrovica dhe KFF EP Hajvalia do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
FFK ka bërë ftesë gjithë dashamirëve të futbollit të marrin pjesë në këtë ndeshje që pritet të jetë spektakolare.
Disa ditë para zhvillimit të kësaj ndeshje mes dy skuadrave ka pasur tensione të mëdha.
Mitrovica ka akuzuar rëndë klubin EP Hajvalia të hënën për kurdisje të ndeshjes.
Kryetari i KFF Mitrovica, Hajrullah Haxhiu ka konfirmuar se kanë denoncuar tentim-kurdisjen e ndeshjes së xhiros së 12-të të Superligës së futbollisteve në mes të EP Hajvalisë dhe Mitrovicës, ndeshje kjo e mbyllur me rezultat të barabartë 1 me 1.
Në anën tjetër, EP Hajvalia ka mohuar akuzat e ardhura nga klubi mitrovicas, por situata duket shumë e tensionuar në prag të ndeshjes së madhe.
Kjo ndeshje do të luhet me fillim nga ora 17:00 në kryeqytet ku do të përdoret edhe sistemi VAR.
Këto dy skuadra janë duke luftuar edhe për titullin kampion në Superligën e Kosovës, derisa vitin e kaluar vashave nga Hajvalia e fitoi titullin e ato nga Mitrovica fituan Kupën.