Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tre vjet pas sulmit në Banjskë, vendoset gurthemeli i obeliskut të Afrim Bunjakut

Gazeta10
24 September 2026 - 13:59

Në vendin ku tre vjet më parë ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku, sot është vendosur gurthemeli i përmendores kushtuar heroit të Policisë së Kosovës.

Ceremonia në Banjskë u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili u vra gjatë sulmit të armatosur të 24 shtatorit 2023.

Në vendosjen e gurthemelit morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe drejtues të Policisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se ky monument përkujtimor do të jetë një kujtesë për një nga beteja më të rëndësishme ku u arrit një ndër fitoret më të mëdha të shtetit të Kosovës.

“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë, ku ai ra, do të dijë më shumë se çka ndodhi atë ditë, cili ishte plani i Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Kosovës…. Para pak kohësh, tre terroristë u dënuan nga institucionet e drejtësisë, por nuk mjafton. Kemi bërë thirrje që Serbia ta dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiq dhe mbi 40 terroristët e tjerë që ishin pikërisht në këtë pjesë të territorit të Kosovës, me qëllimin që të vazhdonin planin e Serbisë… Edhe sot bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë, sepse nuk mund të vazhdohet tutje pa dorëzuar terroristët dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, dhe terroristët e tjerë”, tha Haxhiu.

Se ky monument është rezultat i sakrificës së Afrim Bunjakut dhe angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Kjo fitore solli liri për këtë pjesë. Veriu i Kosovës tash frymon lirshëm. Si rrjedhojë e kësaj ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të gjetur të zhdukur dhunshëm nga kriminelët, atëherë nga shteti kriminel serb të asaj periudhe. … Falë sakrificës së Afrim Bunjakut, falë angazhimit të të gjithë policëve, tashmë ne kemi mundësinë që të vendosim obelisk për këtë sakrificë, për këtë angazhim dhe ku qytetarët tanë do të kenë mundësi që edhe më për së afërmi të njihen me ato momente jashtëzakonisht të rënda për Kosovën, për institucionet e saj, për familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të gjithë policët të cilët kanë qenë të angazhuar atë ditë, por në të njëjtën kohë edhe për një fitore e cila është unike për këtë pjesë”, deklaroi Sveçla.

Sipas tij, pas përfundimit të sulmit, institucionet kanë vazhduar punën në veri, përfshirë identifikimin e personave të zhdukur dhe zbulimin e varrezave masive.

Natën e 23 dhe 24 shtatorit në datat ku ndodhi sulmi në Banjskë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha e përshkroi si një nga momentet më të rënda për shtetin dhe Policinë e Kosovës.

“Kjo është dëshmi që Policia e Kosovës ka një guxim të jashtëzakonshëm. Ka djem dhe vasha që janë të gatshëm me e sakrifiku jetën e tyre për t’i dalë ballë atdheut tonë, detyrave që na presin. Dhe po ashtu, Policia e Kosovës ju garanton që tashmë ka kapacitete shumë më të mëdha sesa që ka pasur në atë kohë. Kemi përgatitje, kemi motivim dhe kemi moral shumë të lartë para nesh. Çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet, është i destinuar për të dështuar. Kosova, Policia e Kosovës, institucionet e saj nuk i harrojnë. Andaj sot ne edhe po e vendosim obeliskun për heroin tonë Afrim Bunjaku, në mënyrë që t’ua kujtojmë brezave të ardhshëm”, tha Hoxha.

Ai theksoi se Policia e Kosovës sot ka kapacitete më të mëdha se në kohën e sulmit, ndërsa tha se kujtimi për heroin Afrim Bunjaku duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm.

Hoxha në fund ka përcjell edhe një mesazh që Policia e Kosovës nuk është kundër asnjë grupi etnik dhe janë këtu për të garantuar rend dhe siguri për të gjithë.

Në kuadër të shënimit të trevjetorit, institucionet paraprakisht kanë vizituar familjen e Afrim Bunjakut dhe kanë bërë homazhe te varri i tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

Aktivitetet do të përmbyllen sonte me Akademinë Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.