
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka biseduar në telefon me Këshilltarin e Lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, shkruan Gazeta10.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti me Chollet kanë biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me theks tek zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bazike, por edhe për betimin e kryetarëve të rinj në veri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë pati një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur. Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tjetër temë diskutimi ishte edhe vizita e shefes së USAID-it, Samantha Power në Kosovë.
Gjatë ditës së djeshme, Chollet ka folur edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqi, të cilin e këshilloi që mos ta provokoj Kosovën./Gazeta10