
Tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, që dyshohet se kishin sulmuar me kallashnikov autobusin i cili barte nxënës, këtë të mërkurën do të dalin para gjykatës.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti e cila ka thënë se seanca fillestare do të filloj me 24 maj në orën 10:00.
“Seanca fillestare në rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, do të mbahet me datën 24 maj 2023, në ora 10:00.”, ka thënë Zhuti për Gazeta10.
Sulmi ndaj autobusit që trasnportonte fëmijë, kishte ndodhur në nëntorin e vitit 2021, ku po transportonheshin nxënësit nga Gjakova për në Deçan. Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Dyshimet ishin se caku i sulmit kishte qenë shoferi i autobusit.
Më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, kishte mbajtur konferencë për media dhe kishte njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.
Aktakuza ndaj të dyshuarëve është ngritur para dy javësh. Kastriot e Kreshnik Mehmetaj akuzohen si bashkëkryes së vrasjes së rëndë, derisa Halil Mehmetaj për shtytje në vrasje të rëndë./Gazeta10