
Raporti: Bleona Dallaveraj
Vazhdon të përkeqësohet situata me furnizim me energji elektrike. Me rënien e bllokut 3 të Termocentralit Kosova A, reduktimet mund të jenë më shumë se dy orë. Shoqatat e bizneseve kanë dhënë kritika në adresë të institucioneve për mosveprim në stabilizimin e furnizimit, pasi humbjet e bizneseve nga mungesa e energjisë kapin milionat. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se e gjithë Evropa përballet me çmime të larta të blerjes së energjisë, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë, shkruan Kanal10.
Kosova pritet të përballet me reduktime edhe më të ashpra, pas rënies së bllokut 3 të Termocentralit Kosova A.
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS ka bërë të ditur se KOSTT-i ka kërkuar të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike.
Sipas KEDS-it, me rënien e këtij blloku, mungojnë 400 megavat, çka e bënë situatën më të pafavorshme.
“Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre. Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Vazhdimi i reduktimeve të energjisë, deri më tani u ka shkaktuar miliona euro humbje bizneseve.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka kritikuar institucionet për mosveprim në përmirësimin e situatës me energji.
Ai ka thënë se ka thënë 2022-a, do të jetë vit i humbur për nga ndikimi i investimeve kapitale, pasi nuk ka pasur realizim të investimeve dhe shpenzim të mjeteve buxhetore.
E varfërinë e vazhdueshme ekonomike e kanë vërejtur edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, për çka kryetari i AKB-së Agim Shahini ka kritikuar institucionet për mungesë të strategjisë për tejkalimin e krizës.
Gjatë ditës për krizën ka folur edhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili ka thënë se Qeveria do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të ofruar investime të huaja direkte për tejkalim të krizës, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë. /Gazeta10