Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

City fiton edhe Kupën FA, një trofe larg tripletës

Gazeta10
03 June 2023 - 18:38

Pas titullit të fituar në Premier League javë më parë, Manchester City i Pep Guardiolës ka fituar një tjetër trofe në këtë edicion.

City të shtunën në stadiumin “Wembley” mposhti rivalin e qytetit, Manchester Unitedin në finale të Kupës FA, me rezultatin 2:1.

Ishte finalja e parë mes këtyre dy skuadrave në këtë garë, ndërsa “qytetarët” e përsëritën suksesin e vitit 2019-të.

Ishte trofeu i shtatë në histori të klubit në Kupën FA.

Ilkay Guendogan i shënoi të dy golat për skuadrën e Cityt. Realizoi supergol në sekondën e 13-të pas topit të marrë nga Kevin de Bruyne.

Guendogan regjistroi rekord në Kupën FA, pasi ishte goli më i shpejti i realizuar në këtë garë.

Shifrat më pas i barazoi Bruno Fernandes, që ishte i saktë nga penalltia në minutën e 33-të.

Penalltia u dha nga gjyqtari kryesor i ndeshjes vetëm pas rishikimit të situatës në VAR.

Megjithatë, Guendogan u përkujdes për një tjetër gol me gjuajtje të saktë nga distanca në minutën e 51-të, për rezultatin final të takimit, 2:1.

Tani skuadrës së Manchester Cityt i duhet vetëm edhe triumfi në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën.

Këtë sukses e kishte arritur Manchester Unitedi në vitin 1999.

City javën tjetër, më 10 qershor në Stamboll, luan në finale të “Championsit” kundër Interit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.