
Raporti: Gentiana Gashi
Të vonshme i kanë cilësuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se për shkak të performancës së dobët, shumë ministra do të duhej të largoheshin nga pozitat, shkruan Kanal10.
Më në fund, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar se ka ngecje në shumë dikastere në qeverinë që ai e udhëheq.
Paralajmërimet e tij për ndryshime në qeveri, njohësit e zhvillimeve politike, i kanë vlerësuar si të duhura, megjithëse i kanë cilësuar si të vonshme.
Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se deri më tani janë evidentuar ngecje në shumë sektorë të ekzekutivit të vendit.
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Dritëro Arifi, ka thënë se thellimi i krizës në vend ka bërë që kryeministri të reflektojë për të riformatuar qeverinë.
Ai ka thënë se ndryshimet në disa ministri janë të domosdoshme.
Në një adresim para anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në ekzekutiv, duke kritikuar disa ministra për punën e tyre.
Ndër të tjerash, Kurti ka thënë se ministrat nuk duhet të jenë mendjemëdhenj dhe të ndihen si shefa, por të punojnë për të mirën e qytetarëve.
Qeveria Kurti, vazhdimisht është përballur me akuza të shumta për mungesë të punës për tejkalimin e krizave me të cilat tash e sa kohë është duke u përballur vendi.
Por, këto akuza vazhdimisht ishin mohuar, si nga Kurti, ashtu edhe nga eksponentë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. /Gazeta10