Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dëshmitari pohon se komunikatat e UÇK-së ishin miksim i të vërtetës me të pavërtetën

Gazeta10
14 June 2023 - 14:02

Dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë ‘‘po’’ kur është pyetur nëse ‘‘komunikatat e UÇK-së thjeshtë bënin një lloj miksimi, përzierje pra, vinin në një vend  pak të vërtetë me pak pa të vërtetë për të ekzagjeruar në njërën anë sukseset e UÇK-së dhe për të minimizuar nga ana tjetër mposhtjen e saj’’.

Këtë deklarim dëshmitari i bëri duke iu përgjigjur kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Andrew Strong, pasi që të njëjtit iu lexuan disa pjesë të disa raporteve që paraqisnin situatën në betejën e zonës në fshatrat Kaqanoll dhe Bajgorë dhe komunikatës së UÇK-së për të njëjtën periudhë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Dëshmitarin iu paraqit fillimisht një shënim informues i UNHCR-së e 18 shtatorit 1998 dhe që pas leximin të disa pjesëve nga avokati Strong, ai tha se kjo reflektonte situatën në Bajgorë në atë kohë.

‘‘Një ofensivë qeveritare tani është në ditën e saj të tretë që ka quar në 10 mijë persona të largohen nga të paktën 13 fshatra nga Podujeva në Mitrovicë, një ekip e UNHCR-së të enjten pa një grup të vogël përreth 200 njerëzish që mbanin çanta dhe po prisnin për autobus në mënyrë që të mund të shkonin në Prishtinë, ushtarët e ndaluan UNHCR-në që të hynin në Bajçin me tri kamion artilerie të cilët ishin të shpërndarë në fushë. UNHCR gjithashtu u përpoq që të futej në zonën e konfliktit nga ana e Mitrovicës por nuk u lejua që të kalonte nga policia, më pas shikoi tym që të dilte nga Bajgora, përgjatë rrugës në Vushtrri UNHCR u takua me një familje prej 13 vetësh, përfshirë 9 gra dhe fëmijë të cilët ishin futur të gjithë në pjesën e pasme të një traktori duke u larguar nga Bajgora, ata thanë që kishin fjetur në qiell të hapur dhe ndërkohë që binte shi gjatë dy netëve të fundit, një grua e vjetër në pjesën e pasme të traktorit po qante’’, lexoi avokati.

‘‘Po, kjo jo, jo vetëm Bajgorë, por kjo është një pasqyrë e qartë të cilën e kemi përjetu çdo ditë, kudo që kanë zhvillu luftime’’, tha dëshmitari më pas.

Pastaj, iu lexua edhe një pjesë nga raporti i 19 shtatorit 1998 nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovës, i cili u pajtua që po ashtu ky raport reflekton kaosin që kishte parë me sy.

‘‘Te kjo pjesa thuhet, rreth 20 mijë banorë të Shalës së Bajgores janë stresuar në mal të Selacit dhe Kozmoticës’’, lexoi avokati.

Ndërkaq, në vazhdim është lexuar komunikata numër 54 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e 24 shtatorit 1998.

‘‘Komunikata fillon me këto fjalë – UÇK në nën-zonat e Shalës, Bajgorës dhe Llapit prej 15 deri 18 shtatorit është përballur me ofensivën e armikut e përbërë nga mijëra ushtarë dhe policë serbë por edhe nga mercenarë rus e romunë me mbi 250 tanke e mjete të tjera të motorizuara dhe artileri të rëndë, do e lënë këtu njëherë, kjo përshkuan të njëjtat veprime të cilat i përshkruam pak  më përpara, pastaj vijon më tej thotë Ushtria jonë çlirimtare i është kundërvën me guxim e heroizëm forcave të armikut dhe i ka detyruar ato të tërhiqen, tani do kaloj në paragrafin 4, aty ku thuhet në nën-zonën e Llapit luftimet më të rrepta u zhvilluan në qafën e Kaqanollit ku armikut iu vranë mbi 100 ushtarë dhe prej nga u detyrua të tërhiqet duke lënë në fushë të luftës edhe 10 tanke dhe automjete të tjera, si dhe sasi të mëdha municionesh, do e  lëmë këtu, dëshmitar ky përshkrim që forcat serbe janë detyruar të tërhiqen është pasaktë apo jo’’, tha avokati.

‘‘I pasaktë është’’, u përgjigj dëshmitari.

Në vazhdim, avokati i tha se dëshmitari i kishte thënë edhe kolegëve të tij avokate se komunikatat e UÇK-së sipas mendimit të tij ishin propagandë duke e pyetur se a është ky shembull konkret i kësaj propagande.

‘‘Pikërisht në Kaqanoll ka qenë një prej betejave më të mëdha, po kjo është e vërtetë, është e vërtetë që po ka pasur humbje nga ana e armikut, por sa i përket se i kemi detyru me u tërheq, ne nuk i kemi detyruar’’, ka thënë dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari pohoi se gjatë kyçjes së tij në UÇK së bashku me 200 rekrutë të tjerë kishin pasur disa sfida dhe vështirësi si mospasje të armëve apo mos të diturit e njësitit ku i përkisnin.

Atij, iu lexua edhe një pjesë nga intervista e dhënë ë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me atë se ai kishte thënë që në fshatin Bajgorë kishte pasur shumë lëvizje pasi që kishte qenë edhe vendi me numrin më të madh të armëve.

‘‘..kishte shume vizita që zhvilloheshin, kishte shumë ushtar që vinin për të vizituar vendin dhe ishte vendi ku mbaheshin armët më të mëdha, numri më i madh i armëve për zonën pra kishte shumë lëvizje njerëzish që vinin, sjellin armë, që merrnin armë prej aty dhe ndonjëherë njerëzit bënin rrugëtime shumë të gjatë për të mbërritur aty kështu që edhe flinin gjatë natës dhe duhet ca kohë, 2 deri në 3 ditë për të mbërritur atje për shkak të situatës që ekzistonte në atë kohë, po kishte shumë lëvizje që vinin dhe dilnin nga zona’’, kishte thënë ai para ZPS-së.

E që dëshmitari tha se ky paraqet një pasqyrim të qartë dhe të saktë të realitetit në terren atë kohë.

Dëshmitarit iu paraqit një hartë gjeografike e rajonit të Bajgorës, i cili tha se qasja nga ana  Podujevës ka qenë shumë e vështirë sepse rruga ka qenë e paasfaltuar, ndërsa nga ana e Mitrovicës  sipas tij ka qenë më e lehtë sepse rruga ka qenë e asfaltuar.

Ai tha se mund të thuhet se UÇK-ja është mund në atë kohë në fshatin Kaqanoll dhe Bajgorë dhe se forcat serbe shkuan deri në Potok dhe ndaluan avancimin e mëtejshëm të tyre në pajtim me strategjinë që kishin.

Më tej tha se të gjithë fshatarët që kishin mundësi të ikni, largoheshin nga fshatrat e tyre për shkak të ofensivës serbe.

Ndërkaq, në sesion privat ka vazhduar marrja në pyetje nga mbrojtja e Veselit dhe tutje, derisa vetëm një pjesë e shkurtë ka qenë publike nga pyetjet e anëtarëve të trupit gjykues.

Dëshmitari u përgjigj se nuk ka njohuri se kur dhe nga kush u ndalua personi numër 9 dhe se tha se asnjëherë nuk kishte mësuar emrat e dy personave të tjerë të ndaluar me të.

Tutje ai tha se përgjegjës për sigurinë e tyre kishin qenë policia ushtarake.

Po ashtu, ai tha se kishte marr pjesë në arrestimin e personit 10, por nuk kishte qenë brenda shtëpisë në kohën e arrestimit andaj edhe nuk e di nëse ai person kishte thënë diçka ndërkohë që po arrestohej.

Dëshmitari gjithashtu u përgjigj me ‘‘nuk ka njohuri’’ kur u pyet se kush kishte qenë përgjegjës të hetonte vrasjen e një romi.

I njëjti sqaroi se numri 2 kishe qenë komandanti i brigadës, numri 4 komandanti i kompanisë dhe numri 3 komandanti i togës.

Ai tha se me numrin 3 kanë pasur komunikim direkt dhe të vazhdueshëm kurse përmes personit 4 është bërë komunikimi te personi 2.

Ai po ashtu tha se përgjegjës për atë se kush të hynte dhe të i shikonte të ndaluarit në qendrën e ndalimit në Bajgorë kishte qenë vetëm policia ushtarake.

Në këtë mënyrë, dëshmitari i tetë ka përfundua dëshminë e tij në këtë çështje gjyqësore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.