
Një gjyqtar i panelit të gjykatësve në procesit kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është dukur fort i kënaqur dje me qasjen e prokurorisë që shumica e seancave sa janë mbajtur deri tash kanë qenë private e po ashtu që shumica e provave janë të redaktuara.
Guénaël Mettraux, ka pyetur me habi se si është e mundur që trupi gjykues të nxjerrë në fund një aktgjykim bazuar në këtë ecuri të procesit.
“Në një fazë të caktuar, do të na duhet që të shkruajmë aktgjykimin që do të bëhet publik dhe do të jetë gjithëpërfshirës. Kështu që, një prej shqetësimeve që kam unë është një shqetësim i cili veçanërisht lidhet me mënyrën se si ju zbatoni ose paraqisni qasjen tuaj lidhur me redaktimet.
Do iu bëj një pyetje. Do iu jap gjithashtu edhe një shpjegim që mbase mund t’ju ndihmojë për t’i dhënë përgjigje pyetjes që do t’ua bëj.
Pyetja ime është kjo: si e imagjinoni që trupi gjykues të jetë në gjendje të shkruaj një aktgjykim të kuptueshëm, gjithëpërfshirës e publik në qoftë se do të ndjekim mënyrën se si i interpretoni ju detyrimet për redaktime, siç u theksua nga z. Emmerson? Pra, për çdo fakt i cili mund të çojë në identifikimin e një personi tjetër, i cili fakt në vetvete mund të çojë në identifikimin e një kushëriri apo që mund të identifikojë dëshmitarin, me të cilën ju arsyetoni redaktimet tuaja”, ka deklaruar ky gjyqtar.
“Pyetja që kam unë për ju është kjo: si ka mundësi që ne të bëjmë konstatime lidhur me këto incidente në qoftë se lidhja që bëhet ndërmjet incidentit në fjalë dhe dëshmitarit X është e redaktuar? Çfarë do të bëjmë? Të shkruajmë një aktgjykim e të themi që në këtë datë të redaktuar, në këtë vend të redaktuar, viktima e redaktuar është vrarë nga autori ose kryesi i redaktuar në këtë vend të redaktuar? D.m.th., si pretendoni ju që ta shkruajmë ne aktgjykimin? D.m.th., si është e mundur që trupi gjykues të shkruaj një aktgjykim gjithëpërfshirës publik duke ndjekur të njëjtën logjikë të redaktimeve që aplikoni ju? Kështu që, me fjalë të tjera, nuk e di në qoftë se mund të na ndihmoni se çfarë duhet të bëjmë ne, se si duhet të veprojmë në këtë aspekt”.
Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi ka nisur me 3 prill dhe deri me tash janë dëgjuar vetëm 10 dëshmitarë dhe ata pothuajse në tërësi në seanca private. Kjo ka ngritur kritika të mëdha në publik. Specialja është kritikuar edhe më herët për mbylljen karshi publikut e mbrojtjes, pasi shumë nga provat e saja janë lënë të redaktuara. /Gazeta10/