
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sontme rreth orës 20:00 në fshatin Madanaj të Gjakovës.
Dy vëllëzër mbetën të vrarë me armë zjarri nga një person tjetër i identifikuar tashmë nga Policia e Kosovës, por që ende ndodhet në arrati.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta10, drejtori rajonal i policisë në Gjakovë Lumni Graishta i cili theksoi se njëri nga vëllëzërit e vrarë ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital.
Ai tha se deri më tani dyshohet se motivet e vrasjes së dyfishtë erdhën për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një prone, por që në vazhdën e hetimeve mund të zbulohen edhe arsye tjera që çuan tek vrasja.
“Një nga pistat e hetimit lidhet me çështje pronësore”, ka thënë ai.
Graishta shtoi se deri më tani Policia ka arritur ta identifikoj dorasin, i cili sipas tij s’ka lidhje familjare me dy viktimat dhe se ende ndodhet në arrati, raporton Gazeta10.
“Bëhet fjalë për vrasjen e dy personave, vëllezër. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. Viktimat janë vëllëzër, po shpresojmë që e kemi identifikuar edhe dorasin i cili s’ka të bëjë asgjë familjarsht me dy viktimat. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një prone. Hetimet janë duke vazhduar”, tha Graishta për Gazeta10.
Ndërkaq siç ka raportuar Sinjali, viktimat që u qëlluan për vdekje, janë dy vëllezërit Haxhi dhe Blerim Islamaj.