
Kreu i Lidhjes Demokratikes të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur rreth takimit të sotëm ku kishte ftuar për herë të parë gazetarë dhe njohës të rrethanave politike në vend, për të diskutuar rreth tensioneve në veri të vendit.
Abdixhiku ka treguar se nga këta akter të shoqërisë ka pranuar sugjerime, ide mbi propozimin e LDK-së për rrugën politike që Kosova duhet ta ndërtojë, shkruan Gazeta10.
“Mes një diskutimi të hapur e shumë përmbajtësor, dëgjuam të gjitha pikëpamjet e pjesëmarrësve mbi gjendjen aktuale politike në vend. Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë.Falënderoj gjithë pjesëmarrësit për përgjigje pozitive në ftesën tonë. E vlerësojmë si kontribut. E çmojmë secilin mendim.”, tha ai.
I pari i LDK-së ka paralajmëruar edhe takime të tjera të kësaj natyre sërish me secilin faktor në Kosovë.
“Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë.”, tha ai.