
Raporti: A. Kastrati & A. Ilazi/Kanal10
Një banor nga Muhovci i Ferizajt tash e pesë vjet nuk po mund ta përfundojë ndërtimin e shtëpisë. Kjo pasi që këtë e ka nisur në afërsi të shtyllave elektrike, për çka telat e rrymës po ia pamundësojnë ndërtimin e katit të dytë të shtëpisë. Ai ka kërkuar zgjidhje nga KEDS-i, por nga kjo kompani kanë thënë se zhvendosjen e këtyre shtyllave duhet ta bëjë vet banori me mjete vetanake, shkruan Kanal10.
E nisi shtëpinë, por ndërtimin nuk po mund ta përfundojë.
Taib Rexhepi nga fshati Muhovc i Ferizajt, ka arritur që të ndërtojë vetëm katin e parë, pasi që për të dytin nuk po e lejojnë telat e rrymës.
Ndërtimin e shtëpisë ai e nisi ngjit me shtyllat elektrike, derisa telat e rrymës qëndrojnë në mes të objektit.
Si pasojë e kësaj, ai thotë se që nga viti 2017, shtëpia i ka mbetur në gjysmë.
Rexhepi thotë se familja e tij ka nevojë për ndërtimin e kësaj shtëpie, për çka tash e sa kohë ka kontraktuar edhe kompaninë punëkryese.
Sipas tij, kompania KEDS nuk i ka bërë zgjidhje për zhvendosjen e shtyllave elektrike.
Ndërkohë, nga KEDS-i kanë thënë se në këso rastesh nuk është në përgjegjësinë e tyre zhvendosja e shtyllave elektrike.
“Sipas legjislacionit në fuqi, KEDS- i pajisë me zgjidhje teknike konsumatorët për raste të tilla, në të cilën u sqarohen të gjitha hapat të cilat duhet të ndërmerren. Gjithashtu, dislokimin e tyre duhet të bëjë vet parashtruesi i kërkesës me mjete vetanake“, tha Margarita Rashiti – Zëdhënëse e KEDS-it.
Qytetarë të vendbanimeve të ndryshme, vazhdimisht raportojnë probleme të tilla, pasi një numër i konsiderueshëm kanë ndërtuar shtëpinë në afërsi të shtyllave elektrike. /Gazeta10