
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, ka kërcënuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me deklaratën e tij të sotëm se “kur PDK-ja do ta marrë mandatin, meqë Gërvalla e Berishaj i kanë nga dy pasaporta, nuk do të jetojnë në Kosovë”.
Sallahu tha se ky deklarim është edhe dhunim i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore.
“Në këtë vazhdimësinë e konferencave të goditësve të shtetit, sot, pamë një tjetër përfaqësues të tyre, që sipas gojëdhënave thuhet që paska kry shkollë në Austri (sikur ky kolektivi i fytyrave publike të PDK-së). Në këtë konferencë ai tha ‘Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merr mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë’. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë”, shkroi zëvendësministri në Facebook.
Por, Gruda nga PDK-ja i ka reaguar, duke e akuzuar për gënjeshtra.
“Zv.ministri i Drejtësisë gënjen publikisht, unë nuk e kam thënë këtë kurrë. E vërteta është se Martinit kurrë s’ka jetuar në Kosovë as Donika. Këta janë turistë të pushtetit. Pyetja është a me ikë edhe Albini në Norvegji, pasi që ta shkatërrojë Kosovën siç e ka filluar”, ka shkruar Gruda.