
Mesfushori me tipare ofanzove, Rilind Nimani nga sot e tutje do të jetë pjesë e skuadrës së Prishtinës.
24-vjeçari vjen te Prishtina pas një periudhe tri vjeçare të kaluar te skuadra e Trepçës ’89.
Nimani ka firmosur kontratë dy vjeçare me skuadrën nga kryeqyteti.
Njoftimin për transferimin e Nimanit, Prishtina e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Prishtina dhe Trepça ’89 janë akorduar për transferimin me kusht të mesfushorit, Rilind Nimani i cili ishte nën kontratë edhe për dy vitet e ardhshme me Trepçën ’89. Klubi mitrovicas dhe bardhekaltrit arritën pajtim që në rast të ofertës nga jashtë vendi deri më 1 shtator, atëherë futbollisti do të jetë i lirë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Në edicionin e fundit me 89-shin, 24-vjeçari shënoi tre gola dhe asistioi në tre të tjerë.
Prishtina deri më tani në këtë merkato ka transferuar Drilon Islamin, Albin Krasniqin, Albion Kurtajn dhe Ermal Veliqin, ndërsa nga “bardhekaltërit” janë larguar Gledi Mici, Endrit Krasniqi, Mendurim Hoti, Bujar Pllana, Shefit Shefiti dhe Egzon Belica.