Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Publikimi i përgjimeve, opozita kërkon përgjegjësi nga Qeveria

Gazeta10
10 July 2023 - 18:56

Raporti: Kanal10

Partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës, pas publikimit të përgjimeve, në të cilat dëgjohet shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, duke biseduar me Slavko Simiqin e Listës Serbe. Kusari Lila nuk e ka mohuar ekzistencën e këtyre përgjimeve, derisa ka thënë se bisedat me Simiqin janë në suaza të normales, por ka mohuar që të ketë biseduar me Milan Radojçiqin.

Reagime të shumta ka nxitur publikimi i përgjimit në të cilin dëgjohet shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, duke biseduar me Slavko Simiqin e Listës Serbe.

Në këto përgjime të publikuara nga Nacionale, ata dëgjohen duke biseduar për çështje të ndryshme, derisa në një moment, përmenden edhe bisedimet ndërmjet Kusari-Lilës dhe Milan Radojçiqit.

Ekzistencën e këtyre bisedave nuk e ka mohuar shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, derisa ka thënë se kontakti me ish-deputetin e Listës Serbe ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligjeve.

Ajo ka mohuar të ketë biseduar me Milan Radojçiqin.

Ky përgjim i publikuar, ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka ironizuar në rrjetin social Facebook, nëse kryeministri Kurti një gjë të tillë e ka bërë me koordinim apo pakoordinim.

Kurse, shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri, nga foltorja e Kuvendit ka kritikuar Qeverinë Kurti për bashkëpunim me Radojçiqin.

Kurse, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar përgjegjësi nga ana e qeverisë, pas publikimit të këtyre përgjimeve.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se dorëheqja është më e pakta që duhet të ndodh.

Për këtë, kanë reaguar edhe partitë e tjera opozitare, duke hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti për prishje të raporteve me aleatët dhe bashkëpunimin sipas tyre, me Radojçiqin.

Gjithashtu, pas këtyre përgjimeve ka pasur edhe reagime të tjera të shumta nga figura të larta publike e politike.

Ndryshe, Milan Radojçiq është nënkryetar i Listës Serbe, derisa është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dyshohet për përfshirje në vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, si dhe koka e krimit të organizuar në veriun e vendit, ndaj të cilit Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht kishte hedhur kritika të shumta, sa ishte në opozitë. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.