
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Qeveria e Kosovës ka liruar masën e sigurisë për lëndën e parë dhe gjysmë-produktet që importohen nga Serbia. Këtë vendim, ende nuk e ka zyrtarizuar Qeveria. Derisa, të njëjtin e konfirmuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna. Ai tha se ky vendim është i mirëseardhur, pasi do t’i ndihmojë bizneset që të mos e rrisin koston e importit për lëndën e parë, e që do të ndikonte pastaj edhe në çmime.
Lënda e parë dhe gjysmë-produktet nga Serbia, kanë filluar të futën në Kosovë, pas me shumë një muaj, kur u ndalua importi i mallrave serbe.
Qeveria e Kosovës, me 8 korrik ka vendosur që këto dy produkte mund të importohen nga prodhuesit vendor.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk ka dashur të flasë rreth këtij vendimi, derisa ka sugjeruar që përgjigja të kërkohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Mirëpo, as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga televizioni.
Mirëpo, njohësit e çështjeve të ekonomisë, thonë se ky vendim është i mirë sepse do t’ua mundësojë bizneseve që lëndën e parë ta marrin më afër e që kostoja do të jetë më e lirë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, tha për Kanal 10 se vendimi është marrë me 8 korrik.
Rafuna shtoi se në vend është duke munguar dialogu publiko-privat, mes Qeverisë dhe bizneseve.
Megjithatë, ai tha se nuk ka pasur rritje të çmimeve për shkak të kësaj mase, porse nëse do të vazhdonte ajo për lëndën e parë, atëherë do të ndikonte në rritjen e çmimeve për shkak të rritjes së kostos për importin e lëndës së parë nga vendet më të largëta.
Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor, ditën në të cilën ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës. /Gazeta10