
Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve të mërkurën në veri të Kosovës, në “Vidimiriq” të Mitrovicë së veriut, janë gjetur mbetje të së paku tre personave që mund të jetë të luftës së fundit në Kosovë.
Sipas komisionit thuhet se pas ekzaminimit dhe konfirmimit të ADN-së do të njoftojnë për rezultatet e këtyre gjetjeve.
“Krahas gërmimeve në lokacione të ndryshme në Republikën e Kosovës (si: Prishtinë, Podujevë dhe Kamenicë), sot ekipet tona të IML-së dhe Policisë së Kosovës, kanë vazhduar gërmimet në lokacionin e quajtur ‘Vidimiriq’, Veriu i Kosovës. Ne kemi hasur në mbetje mortore, të së paku 3 personave, që sipas ekspertëve tonë mjekoligjor, mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë. Pas ekzaminimit më të hollësishëm, dhe pas konfirmimit të ADN-së, do t’iu njoftojmë me saktësi për rezultatet e këtyre gjetjeve. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për të trajtuar me seriozitet të lartë, çdo informacion të mundshëm në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas pranimit të rezultateve të ADN-së, trupat do t’iu dorëzohen familjarëve.
“Ekspert nga IML, përfaqësues nga KQPZH të shoqëruar nga policia, EULEX dhe ICRC, kanë arritur të bëjnë zhvarrimin e tre trupave në Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut, persona të zhdukur nga lufta e fundit ne Kosovë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.