
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abott, ka thënë se veprimi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës më 26 maj për vendosjen e kryetarëve të komunave me forcë në zyrat e tyre ka ndryshuar parametrat e çëshjtes së veriut dhe ka vështirësuar disi gjërat.
Abott ka thënë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërishtë që Kosova dhe Qeveria e Kosovës janë faktor destabilizues në rajon, por shton se veprimi i njëanshëm me kryetarët e komuanve “është sigurisht një veprim destabilizues sa i përket raporteve brenda komunitetit”, tha ai.
Abott ka thënë se ende diplomatët ndërkombëtarë po hamendësojnë se përse Qeverisë së Kosovës i duheshin veprim të tilla të cilat kërkojnë kohë të konsiderueshme për zgjidhjen e krizës në veri.
Diplomati britanik sheh ende rreziqe nga veriu meqë situata është e paqëndrueshme.
“Unë mendoj se në këtë moment ka diskutime të qarta se si të frenohet kjo situatë, nëse jo si të frenohet, atëherë çfarë të bëhet për ta zgjidhur atë. Unë mendoj se do të marrë shumë kohë dhe këtu qëndrojnë rreziqet, sepse ne jemi në një situatë të paqëndrueshme sigurie,” ka thënë ai.