
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Nga e hëna e 24 korrikut, Dhomat e Specializuara në Hagë, do të jenë në pushim deri më 11 gusht.
Megjithatë, përgjatë tre muajve prej kur ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi ka shkuar në mënyrë të ngadaltë.
Njohës të çështjeve të drejtësisë, konsiderojnë se trupi gjykues duhet të ketë rol më aktiv e të përshpejtuar.
Sipas avokatit, Artan Qerikini, kur palët janë në paraburgim, procedura e gjykimit duhet të jetë më intensive, porse kjo nuk po shihet në rastin konkret.
Qerkini thotë se kjo është shkelje e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe procesi në këtë formë do të stërgjatet, ku vetëm dëgjimi i dëshmitarëve do të marrë kohë 3 vite.
Pas fillimit të gjykimit, sipas Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, është vërejtur një intensitet i vajtjes së procesit, ku në tre muajt e fundit janë mbajtur 30 seanca gjyqësore.
Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Derisa përgjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar vetëm 15 dëshmitarë, të cilët janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun, për çka ka pasur shumë reagime.