Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte ndaj ish komandantit të Repartit Policor në Zveçan, ai ndodhet në paraburgim

Gazeta10
12 October 2026 - 15:14

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Zveçanit gjatë periudhës 1998–1999.

Prokuroria bëri të ditur se, sipas aktakuzës, i pandehuri, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe dhe në cilësinë e komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, akuzohet për vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.

Komunikata e plotë e Prokurorisë Speciale:

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan

Prishtinë, 12 tetor 2026 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998 – 1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarët të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinëe e Komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.

Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit.

Gjatë operacionit, u vranë tre (3) banorë civilë, ndërsa shtatë (7) persona të tjerë u rrëmbyen, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale. Trupat e gjashtë (6) prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë (7) ende nuk është gjetur.

Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.