Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kritikohet Bislimi për kushtet ndaj BE-së: Kosova s’është në pozitë të vejë kushte

Gazeta10
25 July 2023 - 19:41

Raporti: Bleona Dallaveraj
Partitë opozitare në vend dhe njohësit e politikës e kanë hedhur kritika në drejtim të deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë Besnik Bislimi që zgjedhjet në veri të mbahen vetëm pas heqjes së sanksioneve politike dhe ekonomike të BE-së ndaj Kosovës. Ata theksojnë se kushte të tilla do ta kthenin vendin prapa. Por ndryshe nga opozita mendon shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që të rishikohen masat që sipas saj janë të padrejta.

Subjektet opozitare vlerësojnë se qeveria po vazhdon të eksperimentoj në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetit në veri.

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë të papërgjegjshme deklaratat e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës Besnik Bislimi, se katër komunat veriore nuk duhet të shkojnë në zgjedhje pa u hequr sanksionet e BE-së.

Nga PDK kërkohet shkuarja në zgjedhje të reja përderisa nga AAK-ja thonë se vendimet e tilla të Qeverisë do ta kthenin Kosovën prapa.

Edhe njohësit e politikës në vend kanë pasur kritika ndaj qëndrimeve të tilla.

Sipas tyre, vendi nuk është në pozitë t’i vejë kushte Bashkimit Evropian, pasi sipas tyre ishin vendimet e Qeverisë që e detyruan vendosjen e sanksioneve.

Por ndryshe nga opozita e njohësit mendon kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimioza Kusari Lila.

Ajo thotë se masat e BE-së për Kosovën kanë qenë të padrejta dhe se duhet të rishikohen.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Gjithashtu, është pezulluar programi i fondeve për Kosovën nga IPA 2024.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.