
Raporti: Luljeta Beselica/Kanal10
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për dorëheqjen e drejtorit të policisë rajonale në kryeqytet dhe atij operativë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Me këtë rast, ai ka ngritur kritika edhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, derisa ka pyetur se ku është morali i tyre në këtë rast. Mirëpo, ndaj Kurtit ka reaguar Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës, nga të cilët është thënë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin. Ndërkaq, njohës të drejtësisë thonë se Kurti nuk ka të drejtë të kërkojë llogari nga këto dy institucione, shkruan Kanal10.
Selektive e të pabarabartë, e ka cilësuar kryeministri Albin Kurti drejtësinë në vend, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Derisa ka njoftuar për shkarkimin e drejtorit të Policisë Rajonale në kryeqytet si dhe drejtorit Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, Kurti ka ngritur kritika edhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve në vend.
Ai ka thënë se shoqëria nuk mund të bartë koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së tyre.
“Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, tha Kurti.
Mirëpo, ndaj të parit të ekzekutivit ka reaguar Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës.
Nga këto dy këshille përmes një reagimi në rrjetin social Facebook i kanë bërë thirrje qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese e ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore. Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kritika ndaj Kurtit pati edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Muftaraj.
Ai ka thënë se përkundër llogaridhënies së ulët të këtyre dy insistucioneve në publik, kryeministri Kurti nuk ka të drejtë që të kërkoj llogari nga to.
“Qeveria në pushtet përmes politikbërjes siç është vettingu duhet të rregulloj dhe përmirësoj sistemin gjyqsor dhe prokurorial, dhe asesi përmes komunikatave dhe deklaratave politike. Një qasje e tillë është kundër parimeve të sundimit të ligjit“, tha Ehat Miftaraj – IKD.
Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e Të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, duke u thirrur në ndërgjegjien profesionale ofruan dorëheqjen e tyre. /Gazeta10