Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama: Lëvizja e lirë do zgjidhej më herët nëse Kosova do të ishte pjesë e Open-Balkan

Gazeta10
02 September 2022 - 19:57

Raporti: Afërdita Lukaj/Kanal10

Kryeqyteti serb Beograd, ka qenë pikëtakimi i nismëtarëve të Ballkanit të Hapur. Edhe në këtë mbledhje në cilësinë e vëzhguesit kanë qenë Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, derisa pjesëmarrës ishin edhe Turqia dhe Hungaria. Njëjtë siç bëri në mbledhjet tjera, kryeministri Edi Rama kritikoi sërish Kosovën për refuzimin për t’u bashkuar me këtë nismë. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë turke premtoi angazhim për arritjen e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Kanal10.

Një ditë pas panairit të verërave, tre nismëtarët e Ballkanit të Hapur u bënë së bashku në Beograd.

Udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut edhe këtë herë në cilësinë e vëzhguesit morën pjesë Mali i Zi e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa të ftuar ishin edhe zyrtarë nga Turqia e Hungaria.

Në kuadër të Samitit janë nënshkruar katër marrëveshje të reja, të cilat hyjnë në kuadër të tregtisë pa kufizime ushqimore, kinematografisë e aktiviteteve audio-vizuale në Ballkanin Perëndimor.

Njëjtë siç ka bërë në cdo takim prej se ka filluar kjo nismë, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama prapë ka kritikuar Kosovën për refuzimin e bashkëngjitjes në Ballkanin e Hapur, duke thënë se lëvizja e lirë me karta identiteti, do të arrihej më herët nëse do të ishin pjesë e kësaj nisme.

DEK: Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë (19:20-  )

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se kjo iniciativë po mundëson

marrëdhënie më të mira mes vendeve.

DEK: Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë

“Ne jemi shumë të lidhur dhe kemi shumë nevojë për njëri – tjetrin, kjo tregohet nga shpeshtësia e takimeve tona, pavarësish faktit që disa nuk janë ende zyrtarisht pjesë e Ballkanit të Hapur dhe disa të tjerë nuk do të jenë. Ne mund të zhvillojmë bashkëpunime të suksesshme. Marrëdhëniet mes tri vendeve të Ballkanit Perëndimor janë në maksimumin e tyre historik”.

Kryeministri  i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi se të tri vendet po punojnë për shkëmbimin e energjisë elektrike.

“Ne po punojmë për shkëmbimin e energjisë elektrike për të përmirësuar këtë shkëmbim në nivel ndërkombëtar. Ballkani i Hapur e ka vërtetuar se është i nevojshëm, ne do të mbetemi në një bashkëpunim intenziv”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndëra, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç foli për marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dua të përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti, për marrëveshjen në ditët e shkuara. A duhet të zgjidhim konfliktin, a duhet të dërgojmë ushtrinë nëpër kufi, a nuk na ka ardhur në majë të hundës me këtë. Apo duhet të zgjedhim të njohim dokumentet e njëri-tjetrit, apo duhet të arrijmë në situatë që të mos e kemi as edhe këtë kufi, që ky dokument të mos jetë aq i rëndësishëm. Kjo është e ardhmja e këtij rajoni. Ky rajon po përçon mesazhe që ne mundemi të ulemi në tryezë”, tha Abazoviç.

Ministri i Jashtëm turk në Open-Balkan tha se Turqia do ta mbështesë dialogun Kosovë-Serbi dhe do të ofrojë zgjidhje për targat.

“Marrëveshja për dokumentet, kartat e identitetit, tregon se duhet të përqendrohemi në interesat e përbashkët në vend të dallimeve. Turqia ka komunikim të hapur me të dyja palët dhe ne do të vazhdojë të nxisim dialogun për të arritur një marrëveshje për targat dhe çështjet e tjera”, tha Mevlut Çavusoglu – Ministër i Jashtëm i Turqisë.

Kryeministri Rama njoftoi se në samitin e radhës, i cili do të mbahet në Tiranë, do të ftojë edhe Greqinë e Italinë.

Organizatorët e Open Balkan i bënë thirrje BE-së që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në përballimin e krizës së energjisë.

Ata thanë se të tri vendet do të bëjnë një kërkesë zyrtare për të ndihmuar këto vende gjatë krizës energjetike. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.