
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Festivali më i madh në qytetin e Rahovecit “Hardhfest” ka filluar këtë të premte. Në të do të marrin pjesë edhe këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria. Drejtori i festivalit, Agron Sokoli thotë se gjatë tri ditëve të festivalit pritet që të marrin pjesë mbi 70 mijë vizitorë, shkruan Kanal10.
Gjithçka ka zërë vendin e vet.
Me detaje e me shumë shije, në këtë hapësirë gjigante, po bëhen përgatitjet e fundit për të pritur qytetarë të shumtë në edicionin e 20-të të festivalit “Hardhfest” në Rahovec.
Në qytetin e traditës së rrushit pas dy vitesh mungesë nga pandemia, rikthehet festivali që i bashkon qytetarë nga vende të ndryshme dhe dashamirët e agroekonomisë.
Florian Çanga, thotë se ka ardhur nga Tirana posa ka dëgjuar për këtë festival, për të cilin thotë se është unik.
Të rinjtë e qytetit të Rahovecit thonë se u ka munguar ky festival, përmes së cilit ata krenohen.
Në ambientet e festivalit do ketë kioska në të cilën vizitorët mund të shërbehen me rrush.
E për këtë tregtarët thonë se fitimet rriten dhe produktet e tyre prezantohen tek një numër i madh i vizitorëve.Drejtori i Bujqësisë, Berat Duraku thotë se festivali ka ndikuar pozitivisht në njohjen edhe më të madhe të produkteve bujqësore që prodhohen në këtë komunë.
Drejtori i festivalit, Agron Sokoli thotë se pritet të marrin pjesë mbi 70 mijë vizitorë.
Sipas tij, këtë vit ky festival do të ketë shumë befasi.
Festivali, që sivjet ka sloganin “Ca kokrra rrushi”, do të mbahet deri më 4 shtator, ku e veçanta e këtij edicioni është pjesëmarrja e legjendës së muzikës rock, Kip Winger, ish-anëtar i grupit Alice Cooper dhe lider i grupit Winger.
Gjithashtu, do të marrin pjesë edhe këngëtarë nga Kosova e Shqipëria. /Gazeta10