
Një ditë para takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se Kurti tashmë është deklaruar publikisht që asociacioni që krijohet nuk duhet të cenojë integritetin dhe kushtetutshmerinë e Kosovës.
Bulliqi në emisionin “Raport”, me Naim Sadikun, ka përmendur modelin kroat për asociacionin i cili sipas tij është një shembull i mirë për serbët atje.
“Kroacia është pjesë e BE-së dhe ne nuk mund të krijojmë standarte më të larta se një vend i BE-së i cili ka dalë nga ish Jugosllavia”, tha Bulliqi.
Sipas tij Kosova po zbaton kërkesat e BE-së duke përfshirë edhe asociaconin por është Serbia ajo që po bllokon procesin.
Bulliqi tha që arsyeja pse deri me tani Kosova nuk ka pasur liberalizim vizash nuk ka qenë demarkacioni por qeverisjet e korruptuara. /Gazeta10/