
Deputeti i Lidhjes Demoktarike të Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të dëgjohet si dëshmitar në rastin e njohur si ’53 milionëshi’ ku të akuzuar janë Ish- ministri i infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre të tjerë.
Hoti pritet të dëgjohet në cilësinë e ish ministrit të financave, në kohën e Qeverisë Haradinaj, kur edhe ishin proceduar 53 milionët për kompaninë Bechtel-Enka, për zgjatjen e afatit të punimeve për autostradën Arbën Xhaferi.
Përndryshe në këtë rast dje ishte dëgjuar ish ministri i Infrastrukturës, paraardhësi i Pal Lekajt, Lutfi Zharku dhe ish kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj.
Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro.