
Sulmuesi Romelu Lukaku do të mbetet te Roma edhe pas përfundimit të sezonit aktual. “Calciomercato” ka njoftuar të hënën se Roma ka vendosur ta blejë përfundimisht kartonin e belgut për ta bërë transferim të përhershëm.
Klubi italian do ta shfrytëzojë opsionin e blerjes së tij vitin tjetër dhe ka arritur marrëveshje me Chelsean për 35 milionë euro. Lukaku është huazuar te Roma këtë sezon dhe Chelsea kishte caktuar klauzolën e blerjes së tij për 40 milionë euro.
Megjithatë, duke pasur parasysh se 31-vjeçari nuk bën pjesë në planet e ekipit nga Londra, atëherë Chelsea ka pranuar kërkesën e Romës për ulje të çmimit. Lukaku ka shënuar 7 gola në 8 paraqitje për Romën këtë sezon, ndërsa me Chelsean ka kontratë deri në vitin 2026.