Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Sylvinho Mendes, dirigjenti i suksesit të kombëtares Shqiptare

Gazeta10
18 October 2023 - 15:15

Kombëtarja Shqiptare është shumë afër të rishkruajë historinë duke u kualifikuar në kampionatin europian “EURO 2024” që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

“Kuqezinjët” aktualisht renditën në pozitën e parë në grupin E të kualifikimeve, me 13 pikë të grumbulluara dhe u duhet vetëm edhe një pikë për të siguruar kualifikimin në “EURO 2024”.

Një nga më meritorët për këtë suksese të kombëtares kuq e zi është pikërisht selektori brazilian, Sylvinho Mendes.

Përzgjedhësi brazilian mori drejtimin e Shqipërisë në janar të këtij viti dhe nënshkroi kontratë dyvjeçare.

Synimi i Sylvinhos ishte që në fillim i qartë, ta kualifikoj Shqipërinë në Europianin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Që nga ardhja e tij në krye të Shqipërisë, tekniku brazilian gjatë gjithë kohës jetonte në Shqipëri, duke shikuar shumë futbollistë nga liga të ndryshme të Europës dhe jashtë saj.

Një nga zbulimet e Sylvinhos është edhe 28-vjeçari, Jasir Asani, i cili nëndrejtimin e brazilianit u ftuar për herë të parë te Shqipëria dhe sulmuesi nga Shkup ka qenë njëri nga lojtarët kyç të “Kuqezinjëve” në këto eliminatore.

49-vjeçari e nisi me humbje rrugëtimin e tij te kombëtarja shqiptare, duke u mposhtur nga Polonia me rezultat 1-0 në Varshavë.

Përkundër humbjes, Shqipëria në atë ndeshje bëri një paraqitje mjaft të mirë, që ishte shpresëdhënëse për ndeshjet në vazhdim.

Në grumbullimin e qershorit, “Kuqezinjët” arritën dy fitore, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, duke rritur kështu gjasat për një kualifikim të mundshëm.

Pas këtyre dy fitoreve, testi i vërtetë për të drejtuarit e Sylvinhos do të ishin dy ndeshjet e muajit shtator kundër Çekisë dhe Polonisë.

Në këtë grumbullim, selektori brazilian përforcoi fazën ofanzive me dyshen që më parë përfaqësonin Kosovën, Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën.

Në ndeshjen kundër Çekisë e cila u zhvillua në Pragë, Shqipëria barazoi me rezultat 1-1.

Përkundër disavantazhit, Shqipëria barazoi rezultatin me anë të Nedim Bajramit.

Vetëm tri ditë më pas, Shqipërinë e priste ndeshja kundër Polonisë në Tiranë, përballje kjo që mund të vendoste shumëçka në grup.

Në “Air Albania” e stërmbushur, “Kuqezinjtë” triumfuan me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut, duke arritur kështu një nga fitoret më të rëndësishme në këto eliminatore.

Ndeshja e radhës ishte përsëri në Tiranë, por kësaj radhe kundër Çekisë. Edhe në këtë ballafaqim, “Air Albania” ishte i stërmbushur me shqiptare nga të gjitha trevat, që kishin udhëtuar për të parë këtë përballje vendimtare.

Shqipëria nuk dëshpëroi adhuruesit e saj në këtë ballafaqim, duke triumfuar me spektakël me shifrat 3-0.

Shqipërisë i duhet vetëm edhe një pikë për të kualifikuar dhe këtë gjë ka mundësi të bëjë në muajin nëntor, aty ku luan ndeshjet kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.