Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave

Gazeta10
18 October 2023 - 16:28

Komisioni Evropian ka paraqitur një pako me propozime për të ruajtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për menaxhimin më efikas të imigrimit ilegal. Në këtë paketë mes tjerash Komisioni Evropian ka propozuar edhe forcimin e mekanizmave të pezullimit të liberalizimit të vizave për ato vende, qytetarët e të cilave mund të hyjnë në BE pa viza.

Mekanizmat e pezullimit të liberalizimit të vizave tashmë ekzistojnë sipas rregullores së vitit 2018.

Me propozimin e ri të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave do të mund të pezullohet edhe për shkak të mos përshtatjes së regjimit të vizave të atyre vendeve me regjimin e vizave të BE-së për shtetasit e tretë.

Komisioni Evropian ka përmendur rajonin e Ballkanit Perëndimor si shembull, i cili dëshmon se një vend mund të bëhet pikë transiti për imigrantët ilegalë drejt BE-së për shkak se mund të hyjnë pa viza në një vend fqinj.

Burimet e Komisionit Evropian në mënyrë të veçantë kanë përmendur Serbinë, e cila ua kishte hequr vizat shtetasve të vendeve si Kuba, Tunizia, Burundi, dhe disa vendeve të tjera për të hyrë në Serbi. Kjo kishte ndikuar që një numër i shtetasve të këtyre vendeve të hynin në Serbi pa viza e pastaj të kalonin në Bashkimin Evropian.

Vetëm pas insistimit të Bashkimit Evropian, Serbia kishte nisur të përshtatë regjimin e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Kërkesa për përshtatje me regjimin e vizave të BE-së Komisioni ka pasur edhe për vendet tjera të rajonit të Ballkanit.

Serbia, në fillim të vitit 2022, ka pasur liberalizim vizash për 22 shtete, të cilat nuk kanë pasur liberalizim për lëvizje në BE. Ky numër tash është zvogëluar në 12, por Komisioni kërkon nga Serbia që të vazhdojë të shënojë përparim në këtë drejtim.

Më së shumti progres në përshtatjen me politikën e vizave të BE-së ka shënuar Maqedonia e Veriut, ndërsa më shumë progres kërkohet nga Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.

Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor gëzojnë liberalizimin e vizave nga ana e BE-së. Edhe për Kosovën BE-ja ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave dhe ai do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024./REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.