
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për medie në Prishtinë, ka folur rreth takimeve të ditës së djeshme në Bruksel me liderët e tri shteteve më të fuqishme të BE-së (Gjermani, Francë dhe Itali) dhe ndërmjetësit evropianë.
Është raportuar se Kurti e ka pranuar draftin “evropian” të Asociacionit, por presidenti Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen.
Lideri i Vetëvendosjes, i cili për 10 vjet ka kundërshtuar Zajednicën, ka thënë se draft-propozimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe parashihej që ta rishikonte edhe njëherë Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri kosovar tha se Vuçiqi ka refuzuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të implementimit, para se të refuzohej nënshkrimi i draftit për Asociaconin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke dhe për këtë e kemi pranuar Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Zbatimit në Ohër me 12 pikat e tij. Por në të dy rastet, edhe më 27 shkurt në Bruksel edhe në Ohër, presidenti i Serbisë ka refuzuar të nënshkruaj, ndonëse ka thënë se e pranon marrëveshjen dhe është dakord me tekstin e saj, përmbajtjen e saj”, tha Kurti.
“Unë nënshkrimin e ofrova edhe në Samitin e Berlinit, ndërsa kryeministrja serbe refuzoi njëjtë si presidenti”.
“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
Më 21 tetor na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese edhe njëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë si përgjigje. Dje në Bruksel ofruam që para tyre si dëshmitar dhe garantues, të nënshkruajmë marrëveshjen Bazë, megjithë Aneksin Implementues të Ohrit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes lidhur me nenin 10 për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në propozim”, tha Kurti.
“Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim dhe zbatim, mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi është garanci për zbatim. Këtë e thamë edhe dje ku Samiti në Bruksel ishte ngjarja dhe vendi ku duhet të ndodh kjo, Serbia refuzoi nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim”, theksoi Kurti para gazetarëve.