
Pas suspendimeve të djeshme, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” ka vendosur t’u vë ndëshkime shtesë punëtorëve të minierës të cilët ka ditë që kanë hyrë në grevë.
Një vendim i ri i ndërmarrë sot nga menaxhmenti, të cilin e ka siguruar të plotë Reporteri, ua ka ndaluar punëtorëve grevistë të Trepçës pagesat për mëditje të rregullta dhe për shujtë, prej datës 24 tetor.
Kjo, sipas vendimit, vlen për të gjithë punëtorët e Trepçës, si ata në minierë, në flotacion, në administratë dhe në njësitë e tjera.
Aty po ashtu theksohet se greva ka nisur pa paralajmërim, dhe si e tillë është e paligjshme. Sipas Ligjit për Grevat, vendimi potencon se greva duhet njoftuar të paktën shtatë ditë më herët. Kësisoj, ligji në fuqi lejon pezullimin e detyrimeve që rrjedhin nga Kontrata e Punës, përfshirë pagën.
Menaxhmeti i Trepçës dje ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
“Është i vërtetë suspendimi nga puna. Arsyetimi ka qenë se unë jam organizatori i kësaj greve, por jemi vetëm ndërmjetësues mes bordit dhe punëtorëve. Është një vendim anti-ligjor që nuk i shërben demokracisë”, tha shkurtimisht Jonuzi.
Sot është dita e tetë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë.
Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.

