Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti e Hyseni inaugurojnë përfundimin e parkut “Banja” (FOTO)

Gazeta10
01 December 2023 - 13:54

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe kryeministri Albin Kurti e kanë inauguruar sot fillimin e punimeve të rrugës “Hamdi Kurteshi” dhe kanë përuruar parkun “Banja”, raporton Gazeta10.

Hyseni bëri të ditur se vlera e projektit të përfunduar të parkut  “Banja” është rreth 250 mijë euro, ndërkaq vlera e projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi” është 2.4 milionë euro.

“Parku “Banja” është njëri nga parqet më të mëdha të Gjilanit në zonën urbane me rreth dy hektarë hapësirë. Ndërkaq, rruga “Hamdi Kurteshi”, të cilën po e fillojmë sot, është njëra prej rrugëve më të frekuentuara të qytetit”, sqaroi Hyseni.

Kreu i Gjilanit ka nënvizuar se projektet tjera që presin të fillojnë në vitin e ardhshëm e që janë të buxhetuara, kapin shifrën e mbi 40 milionë euro.

Ndërsa, kryeministri Kurti pasi ka përgëzuar kryetarin Hyseni për punën e madhe në realizimin e projekteve, ka paralajmëruar tri projekte për Gjilanin.

“I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro, ku procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit me afro 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin 2024 dhe i treti është bulevardi me rreth 20 mijë metra katrorë, me hapësirë publike, infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, dhe ka një kosto prej 12 milionë euro, ku gjithashtu, është buxhetuar për vitin e ardhshëm”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.